Sheshi Skënderbej foli në gjuhën italiane për dy ditë. Festivali i Teatrit “Verdi of”, që organizohet prej dy vitesh në Shqipëri nga Teatro Regio di Parma në bashkëpunim me ambasadën italiane, sollën për publikun shqiptarë veprën “Aida” të Giuseppe Verdit, konceptuar mjeshtërisht nga regjisori Mario Mascitelli. Artisti tha se është e lehtë të prezantohesh para dashamirësve të artit me një pjesë të tillë, në një hapësirë që shndërrohet në teatër të hapur.
“Kur vepra artistike është një vepër që njihet botërisht për muzikën, për historinë e mrekullueshme, të cilën ne e konceptojmë padyshim si tragjike është e lehtë të luash me të dhe të organizosh me të diçka që është një koncept i ri. Është shumë e lehtë të punosh me një vepër kaq të rëndësishme të të madhit Verdit.”
“Aida” me gjithë dinamizmin e saj, rrotullohet në historitë e keqkuptimeve. Pjesa kalon nëpër nota fine humori, për t’u zhvendosur nga rrafshi tragjik për te komikja.
“Vepra jonë do të luaj me keqkuptimet. Trupa teatrale do të paraqesë njerëzit, që mendojnë se kanë fituar një shorte, do ti cojë ata me pushime në plazh. Pjesa do të zhvillohet me kostume verore, plazhi, ndryshe nga vepra lirike e Verdit. Veçoria kryesore është se trupa teatrale do të recitojë në formë komike, ndërsa aktorët e mëdhenj artistët, muzikantët zakonisht këndojnë në operan lirike. Pra, ndryshimi është ky: Ne do ta sjellim në një mënyrë komike duke pasur respektin maksimal për tragjedicitetin e historisë së Aidës dhe padyshim duam që njerëzit të argëtohen e kënaqen me spektaklin tonë”, u shpreh regjisori.
Shfaqja u mirëprit nga publiku, ndërsa regjisori premton se do kthehet sërisht në Shqipëri për të tjera projekte teatrore.


