Ka kohë që jeton aty,
dhoma i vret sytë,
dera ndalon dritën e diellit,
e bardhë.
Bluza të padashura,
njerëz që tulaten të flasin,
injeksione me ngjyrë qumështi,
heshtje për tretje,
përsëri e pabindur në gjysmimin kohor,
tej andej, kudo, e bardhë.
Fytyra herë zverdhon e herë tretet,
një grimëçast zëri s’dëgjohet,
kopshti pa ngjyrë kredhet në vaj,
trishtil i fundit u shkëput nga pema e këputur,
u larguan të gjithë me verën, çdo gjë, e bardhë.
Ka akoma gjethe që rreken të zverdhen,
lule që duan gjakun si ngjyrë,
kopshte që duan të jetojnë akoma,
agu që do mbaj ylber mbi shpinë,
fjalë që do dëgjohen,
hëna që do hedhi mbi krye kupën e yjeve,
sytë që do kredhen horizonteve blu.
Nuk do ketë më lëng ndërpamës.
E bardha që vret të bardhën.
Shtttt…



