Letërsia popullore (Eposi i kreshnikëve) i brendashkruar te “Lahuta e Malcis”

 Më duket e arsyeshme ta nis këtë punim me përkufizimin e fjalës epos, marrë nga fjalori i gjuhës shqipe : epos – tërësia e krijimeve epike popullore për bëmat e heronjve legjedarë ose për ngjarjet e mëdha historike.
Eposi i shqiptarëve, i njohur me emrin eposi i kreshnikëve , meqënëse heronjtë janë kreshnikë , nga këngëtarët malësorë njihet me këngë të moçme ose këngë lahute.
“Kanget e vjetra , qi njifen prej malcorvet nen emnin “kangë kreshnikësh, kangë te moçme, kangë lahute, janë visari ma i cmueshmi i gjuhës, shprehja ma e gjalla e shum ndjesive bujare e përfytyrimit typik i fizjonomis së kombit t’onë . Populli këndon. Në nji numër te panjehun kangësh, përcjellë gojë më gojë gjatë shekujve, populli ka ruejtë gjymtyrët e tij e njij eposi të vërtetë, qi ka për protagonist Gjeto Basho Mujin , nji kreshnik të fuqishëm , të pathyeshëm e të pavdekshëm. Asht për t’u vu re se kangët e kreshnikvet kendohen gjithmonë e vetëm me lahute, qi ne Malci te Madhe thirret laute .”
Kështu , mjeti me të cilin këndohen këto këngë është lahuta, dhe këtu zë fill dhe lidhja e eposit te kreshnikëve me veprën ” Lahuta e Malcisë” . Nga kjo lidhje që bëra, besoj se kuptohet qëllimi i punimit tim, që konsiston në analizën se si ka ndikuar letërsia popullore, kryesisht eposi në këtë kryevepër që studiuesit e kanë vlerësuar duke e quajtur Iliadë të shqiptarëve dhe Gjergj Fishtën, autorin Homer.

Autori e ka quajtur veprën e tij “Lahuta e Malcisë” dhe që ne titull na ofrohet çelësi për interpretimin e veprës.
Lahuta – instrument bazë që këndohen këngët epike legjendare krejt eposi i veriut. Prania e këtij elementi, që në titull na sugjeron një karakteristikë që është oraliteti apo gojtaria.
Elementi tjetër i titullit Malcia na sygjeron kontekstin gjeografik, antik, gjuhësor, etnik, folklorik, ku po zhvillohen subjektet e veprës.
Titulli i veprës na lë të kuptojmë lidhjen e saj të ngushtë me letërsinë popullore.
Gjergj Fishta për një gjysmë shekulli ishte figura zotëruese e letërsisë shqipe. Vepra e tij në letërsinë e në kulturën shqiptare është e shumanshme, por me “Lahutën e Malcis” sa ishte gjallë u pagëzua ” epiku më i madh i shekullit “, duke ndërtuar eposin shqiptar te shekullit XX.
Autori u shkollua në shkollën e françeskanëve, të cilët u morën me mbledhjen e botimin e epikës legjendare. Ai ishte në kontakt me letërsinë popullore, e cila do të jetë e pranueshme për shijen dhe etnopsikologjinë e popullit shqiptar.
Fishta i njihte mirë doket, zakonet, frazeologjinë popullore dhe shpirtin e malsorëve. Nëpërmjet veprës ai synonte të jepte mesazhin e njohjes së rrënjëve historiko – kulturore të popullit shqiptar. Në kohën kur u shkrua dhe u botua vepra shumica e popullsisë ishin analfabet, e megjithatë malsorët i dinin vargjet e “Lahutes se Malcis” përmendësh. Meritë e pamohueshme e Fishtës, i cili duke njohur mirë gjendjen e atdheut te tij, e përgatiti veprën që të ishte sa më pranë lexuesit e ky i fundit të kuptonte mesazhin e saj. Sipas Fishtës: ” Folklora asht pasqyra e kthjelltë e psihes së kombit, asht rras mermerit me të cilën historija zgavron t’endun e t’shendun e popujve: folklore.

Nga folklori mori gjuhën, tingullin, lëvizjen, figurat stilistike, temat, qëniet mitologjike dhe ngjyrat, të cilat i përdori me shumë mjeshtëri e art, për të krijuar pamje artistike dhe për të pikturuar realitetin e kohës. Në kryeveprën e tij ka shumë ngjyrim folklorik sa po të mos e njihnim autorin, këngët e “Lahutës” do të mund të quheshin më shumë këngë të ndonjë rapsodi të maleve se sa krijime artistike të një poeti.

Deri tani solla në rrafsh te përgjithshëm lidhjet e forta që ka krijimtaria e Fishtës me letërsinë popullore. Për shpjegim më të mirë të lidhjes mes tyre në vijim do mundohem të bëj një krahasim në rrafshe te ndryshme mes Lahutes se Malcis dhe Eposit te Kreshikeve, që është një nga produktet më të vyera të letërsisë popullore shqiptare.
Ne fillim thashë se Lahuta na shfaq që në titull karakterin oral, është e ndarë në 30 këngë dhe ka 15613 vargje. Numri i 30 këngëve na lidh me numrin 30 të kreshnikëve te Jutbinës. Në të dyja subjektet gjejmë dhe disa numra të tjerë si : 3,7,9,40 ( janë numra simbolikë dhe ka përdorim te shpeshtë të tyre ).
Kur flasim për të dyja veprat, kemi të bëjmë me dy subjekte që qarkullojnë si e tërë , por ndodh dhe që këngët të shijohen të ndara nga njëra – tjetra. Subjektet te ‘Lahuta e Malcis’ dhe te ‘Eposi i kreshnikëve’ janë të ndara në këngët të veçanta përgjithësisht këngët emërtohen me emrin e personazhit ose me ndonjë ngjarje te caktuar. Duke lexuar veprën e Fishtës shohim ndikimin dhe pasqyrimin e madh të eposit.

Për të qenë sa më i afërt me lexuesin Fishta ne veprën e tij ka futur formulsime e shprehje të modelit popullor, pa i cënuar apo përpunuar ato.
Ndikimi më i madh i eposit vërehet te prania e qënieve mitologjike te Lahuta, kryesisht Orët dhe Zanat. Që nga emërtimi i tyre vëm re se emrat e tyre ne Lahutë janë krijuar sipas modelit të “Ciklit të Kreshnikëve”. Emrat e këtyre figurave mitologjike shoqërohen me epitete dhe mbajnë gjithashtu emrat e vendeve ku eposi është kultivuar. Përmend këtu: Zana e Madhe, Zana e Vogël, Zana e Shkambit, Zana e Malit dhe Ora e Bardhë , Ora e Malit, Ora e Halilit, Ora e Mujit. Ne shumicën e rasteve ndodh që këto figura mitologjike, pra Oret dhe Zanat të bashkëjetojnë me kreshnikët, madje i marrin në mbrojtje e përkujdesen për ta sjell këtu shembullin e “Martesës së Halilit ” te “Cikli i Kreshnikëve”, por jo vetëm pasi edhe te “Lahuta e Malcis” Zanat e Orët luftojnë në krah te heronjve, i mbështesin e kujdesen për ata. Fishta i fut dhe i inkuadron në vepër figurat mitologjike në rrjedhën e historisë kombëtare me qëllim që ato të ndihmojnë heronjtë në mbrojtjen e atdheut, sic ndodh edhe në epos. Në këngën e fundit të ‘Lahutës’ Fishta e falenderon Zanën që e shoqëroi dhe e frymëzoi . Po në të njëjtën këngë në mënyrë të tërthortë e quan veprën “kange kreshnikesh ” dhe për të ato këngë transmetonin zërin e historisë së kombit. Për t’u theksuar është fakti se këngët e para të Lahutës i quajti “kange popullore” dhe i botoi pa shënuar emrin e tij. Botimi përfundimtar i veprës na lë të kuptojmë se shumë nga titujt e këngëve të Lahutës na lidhin me thesarin popullor. Fishta u drejtohet me një varg thirrjesh e apostrofimesh figurave mitologjike sikur ato të ishin qënie identifikuese shqiptare.
Luftën e shqiptarëve me sllavët që është e pranishme dhe në epos, e paraqet në dy rrafshe:
1) në rrafshin njerëzor, ku luftojnë heronj dhe të dy popujt dhe 2) në rrafshin mitologjik, ku lufta bëhet nga zanat me dragonjtë e kuçedrat.
Skena më e njohur e eposit tonë gjendet te “Lahuta e Malcis” në mënyrë të ngjashme kështu zanat i japin fuqi heronjve për ti ndihmuar ata. Në epos sjellim shembull skenën, ku Zana e maleve e pajis Mujin me fuqi te mbinatyrshme. Para kësaj skene ai ishte thjesht një bari lopësh.

Njana shoqes zanat athere i kanë thanë
Tamel gjiut Mujit per me i dhane
Tamel gjiut i kane dhane me pi
Me tri oika djalin ma kane ngi
E i ka fale Zoti kaq fuqi.
Se me e luejte shkambin ma t’madhin.

Ne Lahutë gjithashtu zana e pajis Ali Pashë Gucinë me fuqi. Ky i fundit largohet nga shtëpia duke lenë amanet që djalin mos t’a lenë në dorë të Shkjave. Pajisja e Ali Pashë Gucisë me fuqi te mbinatyrshme në Lahutën e Malcis jepet me vargje të bukura në këngën e tetë, vetëm se në ndryshim nga eposi ai fuqizohet duke i dhënë rozmarinë.

Te tjera skena te ngjashme dalin në të dy subjektet. Në këngën e tretë të Lahutës kemi vajtimin e motrës së Avdi Hisës, për vdekjen e tij që paralajmërohet nga vajtimi i qyqes. Vajtimin e motrës dhe dhimbjen e paskajshme që ajo ndjen Fishta e ka paraqitur me vargje të tër. Vajtimi karakterizohet nga përsëritja e vargut: o vllau em o vlla, marrë si model nga tradita gojore. Zogu që këndon del po ashtu ne epos, ndal këngën e tij për të dëgjuar këngën e Ajkunës mbi varrin e të birit Omerit.

Tjetër skenë që e gjejmë në dy subjektet është ajo me lugat që e gjejmë në këngën e XI te Lahutës. Mehmet Ali Pasha shkon te Knjaz Nikolla ne Cetinë, ndërkohë ishte i shndërruar në lugat. Knjazi i mburret së shoqes për gjërat që kishte arritur ndërkohë që e shoqja i thotë se fëmijët kishin parë një hije lugati. Ky nuk i besoj asaj. Ndodh qe ne mesnatë ai e sheh vet hijen në mes të odës. Skenën me lavdërime e gjejmë pak a shumë në epos, ku Krajle Kapedani mburrej para së shoqes.

Tjetër skenë e njohur e eposit tonë gjendet në këngën e Gjergj Elez Alisë edhe në Lahutë. Tringa e Ule Keqotës po njësoj si motra e Gjergj Elez Alisë në rapsoditë popullore ia kushtoi jetën dhe rininë vëllait të vetëm që lëngonte në shtrat nga plagët e marra nga lufta me armikun sllav. Dialogu i Tringës me të vëllanë të kujton dialogun e motrës me trim Gjergj Elez Alinë te kënga që ka të njëjtin emër. Tringa i thotë të vëllait pse po qan aq shumë. Po ashtu, motra e Gjergj Elez Alisë i thotë të vëllait për ardhjen e balozit të zi. Në epos Gjergj Elez Alia ngrihet e i del përpara balozit në mejdan dhe triumfon mbi të.
Te “Lahuta e Malcis” Curr Ula ishte në orët e fundit të jetës, kështu që e motra i Tringa detyrohet të marrë rolin e tij për të mos t’iu rënë në dorë Shkjave.

Një tjetër pike, ku mund të shohim pasqyrimin e eposit te Lahuta e Malcis janë vargjet e ndërtuara mbi bazë formulash me të cilat hapet thuajse çdo këngë . Kënga e parë për shembull: Ndihmo Zot si m’ke ndihmue dhe me vargje të ngjashme fillojnë dhe këngë të tjera. Në epos shumica e këngëve fillojnë me lutje dhe referenca drejtuar zotit apo zanës për ta ndihmuar në përshkrimin e ngjarjeve që vijojnë. Këto formula janë tipike të krijimtarisë popullore, kanë trajtë të pandryshueshme e i vijnë në ndihmë oralitetit të veprës. Fishta gjithashtu përdor elemente të tjerë si: shprehje frazeologjike, urime, mallkime dhe formula pyetëse.

Oraliteti si karakteristikë e veçori formuese e folklorit ka shtrirje mjaft të madhe te “Lahuta e Malcis” e Fishtës. Ajo i qëndron përballë literalitetit e kështu marrëdhënia e folklorit e tyre pasqyrohet më së miri te kryevepra e Fishtës çka e bën këtë të fundit pasqyrë të gjallë të eposit kombëtar.

Bibliografia

  1. Vladimir Zoto, Eposi i kreshnikeve, Dasara, Tiranë 2006.
  2. At Bernardin Plaj dhe At Donat Kurti, Visaret e kombit: Kange kreshnikes dhe Legjeda ( Botimi II ) , Botimet Franceskane, Shkoder 2008.
  3. Jakup Sahiti, Roli i letërsisë popullore në krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2009.
  4. Gjergj Fishta, Lahuta e Malsisë, Uegen, Tiranë 2002.
  5. Tonin Cobani, Lahuta e Malsisë, Botimet Pakti, 2009.
  6. Sabri Hamiti, Letërsia moderne shqipe, Uetpress, 2013.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *