Në udhëtim,.. përsëri
“Më pas, ne kuptojmë një mijë gjëra të vogla që ndihmojnë për t’i shfaqur gjërat e mëdha në dritë, dhe njeriu hyn, si të thuash, në kontakt të drejtpërdrejtë me antikitetin.”
Leon Rey, në
Apolloni
Udhëtimi i dytë nuk mund të kuptohet asnjëherë pa të parin. Ata janë vazhdim i njëri-tjetrit. Ashtu si ditët e gjata në vetminë e studios, rrethuar me personazhet e tu, teksa presin orën e tyre të famës. Për Artan Peqinin, ekspozita e radhës është natyrshëm vazhdim i asaj të shkuarës. Përsëri në galerinë Fab, ajo vjen e përpiktë si një vit më parë, ndërkohë që imazhi i ekspozitës së parë është ende i freskët. Ishte imazhi i atij udhëtimi me ngjyrime magjike, shtresëzuar me elegancë si peizazhe harmonike të një almanaku familjar, teksa regjistronte momente, tinguj e aroma të një jete të shkuar. Elementi kryesor kish qenë kujtesa. Ajo sendërtuar në dy kohë, përbëhej nga e tashmja, ku vizitorët urbanë përvidheshin çuditshëm në thellësinë e natyrës dhe e dyta, e shkuara, përkthyer nga optika e Nënës së moshuar. I gjithë ky udhëtim, në esencë kishte qenë një zhvendosje e dyfishtë sa në hapësirë, aq dhe në kohë, manipuluar estetikisht me një qëllim: memoria dhe familja janë një dhe e vetmja pasuri.
…
Nuk do ta dimë kurrë se çfarë ndjeu herën e parë Leon Rey, kur plot 100 vjet më parë u nis për të zbuluar Apolloninë. Në kujtimet e tij, ai përshkruan “… të njëjtat shpate ku dikur qëndronin monumentet e mermerit, tarracat, tempujt dhe ai akropol nga ku u largua Staberius-i”. Para syve të tij prej arkeologu romantik, natyra kishte rifituar të drejtat e veta, teksa një mantel gjelbërimi, lulesh dhe gjembash mbulonte atë qytet që dikur në antikitet kish gjetur famën e vet.
Udhëtimi / Pikërisht në këtë mantel, shpërndahen edhe “heronjtë” bashkëkohorë të Peqinit. Është cikli i tij i dytë piktorik, ai i një pasditeje të “përhershme”, ku dallohen përsëri po ata personazhe të njohur, të paqtë e emblematikë. Ata përvidhen aty në gjirin e natyrës, bashkë, si një grup i hedhur në një realitet fantastik, zbuluar papritur në oborrin e pasmë të shtëpisë. Në harmoni, rreth e përqark, ashtu të projektuar pothuajse gjithnjë në plan të dytë, ata shkrihen në tisin kromatik, ndriçuar fort nga drita e pasdites. Me çanta turistësh, rroba banje, a mbi motor, ata shpërndahen kudo, mes relikteve, natyrës, apo teksa notojnë elegantë nën sipërfaqen e një lumi të papritur. Siç thoshte Prusti, “Udhëtimi i vërtetë nuk konsiston në kërkimin e peizazheve të reja, por në të pasurit një optikë të re”. Ky udhëtim i ri duket se synon pikërisht këtë. Të pasurit një optikë të re. Bashkë me të kërkohet stimulimi i një kredhjeje në një realitet tjetër për të stimuluar kështu një dialog të ri, ndryshe, sa me veten aq dhe me natyrën.
Personazhet / Personazhet e tij nuk janë të rëndësishëm. Asnjë prej tyre nuk merr formë identitare të qartë. Tiparet e të gjithëve duket se shuhen qëllimisht drejt një fluiditeti emocional. Si të tillë, ata duket se mund të jenë gjithsecili prej nesh, pasi piktorit nuk i intereson individi, por raporti i tij me peizazhin dhe arkeologjinë.
Në fakt është pikërisht ai elementi i ri ngjizës i dialogut tjetër: trashëgimia arkeologjike. Ato, kokat e perandorëve e shtatoret e magjistratëve zgjaten, bashkë me hijet drejt vizitorëve, heshtur. Kështu mes tyre koha zhbëhet, ndërsa dimensioni gravitacional përmbyset. E ashtu të gjithë bashkë bujtin në sipërfaqe të sheshta, gati fluide. E ashtu zgjatohen në perspektivë, a qendërzojnë si megalitik mbi kurmin e qytetit të humbur.
Pasdite e Përhershme / Ka ndodhur me të gjithë ne. Të gjithë kemi qenë prezent një ditë, a një pasdite në magjinë e kodrave të Apollonisë. Të gjithë jemi përhumbur në atë dritë verbuese, ku era përkund barin dhe aroma e ngrohtë mesdhetare përvidhet në tempullin e braktisur. Duket se është po ajo dritë e studios së ciklit të parë. Ajo drita e ngrohtë e pasdites që faneps të gjithë personazhet, i zhbën konturet dhe gjestet si për t’i projektuar drejt një riti mistik, që penetron në mjegullën e një kohe të shkuar.
Pasdite e përhershme është evokimi i kësaj ndjesie. Një atmosferë ndjellëse e përcaktuar nga dëshira për udhëtim, si nevojë për shkëputje, për t’u shtyrë larg, tutje zhurmës të së përditshmes. Sepse çdo pikturë është një udhëtim tjetër. Një udhëtim drejt një peizazhi mes ëndrrës dhe realitetit, ku dimensioni i kohës aspiron të tejzgjatet gjithnjë e më tepër. Nëpërmjet këtij qëllimi transhendental, Peqini projekton në një version soft të udhëtimit të tij imagjinar, prej studios së vet, ku projektohet dhe kërkimi i tij estetik i sipërfaqes piktorike. Të gjitha këto bashkë tejzgjaten në qëllim dhe formë drejt një pasditeje të përhershme, pse jo si një botë fantazie, tokësore aq sa fantastike, si ai artisti i cili nisi të pikturojë botën për të zbuluar në të linjat e portretit të tij.
Ermir Hoxha



