“13 vite martesë ku na humbi dashuria” bëhet refreni i përsëritur i shfaqjes “La baby-sitter”. Në komedi trajtohet kriza ekzistenciale e njeriut, bashkëjetesa e palumtur me tjetrin, ndërsa dashuria nuk ka fuqi për përligjjen e ekzistencës. Regjisori Vasjan Lami thotë se shfaqja iu flet marrëdhënieve në çift e shoqërive moderne:
Është një dramë universal, që ndërron format e transmetimit të këtij konflikti në çift, pasi çdo cift e ndjen veten aty brenda, çdokush e ndjen veten brenda këtij çifti. Autori është personalitet, ka gjetur forma shumë interesante për ta sjell dramën. Ndoshta e sjell egër. Këto 13 vjet janë bërë tani, po nuk është se kanë qenë që nga fillimi kështu. Ai do të thotë me këtë 13 vjet, që personazhet kanë arritur deri në 13 vjet dhe akoma nuk po i japin zgjidhje marrëdhënies së tyre. Ndoshta, nuk është shumë vonë dhe nëse këta nuk janë shumë vonë, ato çifte që janë më herët duhet të kujtojnë që dashurinë të mos e neglizhojnë. Pra, dëshira për të jetuar bukur, nuk mund të kuptohet pa dashurinë. Jeta është e ngarkuar është e pafundme, është me vështirësi, por nëse ti ruan dashurinë, brenda çiftit, brenda familjes në mënyrë jo koshiente ty të zbuten edhe problemet e tjera, prandaj kjo është një thirrje për dashurinë, mos neglizhoni dashurinë.
13 vite përsëriten shpeshherë në shfaqje për të theksuar, problematikat më të qenësishme të çiftit, bisedat e munguara me njëri-tjetrin e megjithatë 13 vite nuk janë shumë për një çift që i është betuar tjetrit për dashuri të përjetshme. E mes debatesh e fjalësh të shkëmbyra rrëmyeshëm shfaqet një baby sitter, një grua që vjen nga një realitet tjetër e që përfaqëson religjionin, një grua me mesazhe të forta për jetën e dashurinë. E në një farë forme mbërritja e saj shërben si një lloj katalizatori për të thënë që jeta duhet jetuar mes njerëzve, duhet ta duam tjetrin, duhet të kujdesemi për ata që kemi pranë e me misionin për të kujtuar se Zoti është ndriçues e rregullator i gjithçkaje.
Është normale, pavarësisht se herë-herë luhet me figurën e Zotit, por midis atyre fjalëve që këta qeshin, personazhet gjejnë veten sepse kjo ndonëse na del që nuk është një predikuese e mirëfilltë, është e një sekti X, midis rreshtave ti lexon edhe se çfarë duhet të jetosh pavarësisht se këto nuk e pranojnë, nuk e pranojnë ligjini, nuk pranojnë rregullat e bashkëekzistencës, nuk pranojnë shumë gjëra në dukje, dhe janë pikërisht ato që ajo nënvijëzon. Ajo çka nuk pranojnë është ajo që atyre u ka munguar deri në atë çast dhe ia hedhin fajin Zotit. S’ka pas ai të drejtë, jo se nuk kanë këta. Ështe mesazhi, që pavarësisht se 13 vite martesë, ky çift është i ekzagjeruar në marrëdhënie sepse duket shumë i ashpër. Për fat, personazhi i burrit ndihet që është më pak i pushtetshëm se ajo, sepse është një karakter tjetër, një karakter neglizhent që nuk harxhon shumë energji për familjen dhe detyrimisht gruaja bëhet më e forte, pasi një burrë të tillë mund ta kapësh shpesh në gabime dhe kjo është marrëdhënia në çift, që ajo ka të drejtë dhe mund ta gjejë gjithmonë në faj atë, pasi ai neglizhon. Është burrë i zgjuar, i pëlqen jeta, si të gjithë njerëzit, por ndoshta ekzagjërimin në sytë të saj e bën më shumë për ta ngacmuar atë, pasi fundja brenda njeriut janë të gjitha. Është karakteri i njeriut, ai që e bënë të ruaj njërën gjë, atë që është më e rëndësishme dhe të lërë këto, gjërat e tjera që mund të jenë të bukura, por që në një moment nuk të takojnë ty.
Vepra i flet realitetit fare mirë, por edhe shoqërive në tërësi. I pyetur nëse vepra mund të quhet krizë ekzistenciale e kohëve moderne e çifteve, por edhe të marrëdhënieve të tjera, regjisori përgjigjet:
Është pikërisht kjo që thoni ju. Ky autor mbahet si ekzistencialist. Në një kuptim, është të vësh dorën në plagë, kur thotë ai. Kjo është instalacion, kjo është dramë, qoftë edhe jashtë. Në Shqipëri nuk e di sa është raporti në 4 çifte, 2 apo 3 ndahen kjo është tragjike. Autori kap këtë fenomen, këtë shkak për ta bërë e për ta kthyer në një fenomen të përgjithshëm, për të dhënë mësime shumë më tepër. Këdo shembull që të marrësh, çdo marrëdhënie, çdokush do ta gjejë veten. Ky e ka dhënë shumë bukur, ka futur atë predikuesen e ka vënë të jetë dhe ajo njeri. Dhe ajo që flet e që shenjtëron gabon. Edhe kjo në fund të fundit është njeri, dhe predikuesja gaboi dhe kjo u deh, kështu është jeta.
I emocionuar për mikpritjen nga publiku brenda sallës së Arturbinës, regjisori na tregon për periudhën përgatitore dhe për vijueshmërinë e shfaqjes.
Kjo shfaqje kishte ditën e parë me spektatorin. Ne mezi prisnim sepse nuk e ka parë kush dhe këtë javë kemi filluar provat në skenë. Ishim shumë kuriozë të gjithë ne se si do të pritej. Në fillim të shfaqjes fillojnë batutat e zgjuara, e bukura, marrëdhënia në çift u zbërthye shunmë shpejt dhe kjo na dha kënaqësi. Jam i bindur që aktorët u ndjenë shumë mirë. Edhe Genci edhe Andia janë aktorë që kanë sharmin e komedisë. Spektatori është një barometër që të amplifikon edhe dëshirën për të luajtur mirë. Shfaqja pastaj mori rrugë shumë shpejt. Hyrja e Luizës e hipi shfaqjen në shina dhe e fluturoi. Qe shumë bukur, unë u kënaqa edhe aktorët u kënaqën. Ishte një punë që ka 2 muaj që e bëjmë, megjithëse me pak shkëputje dhe ishim të surprizuar. Kjo është një komedi tjetër, nuk është komedi abuzive që të bësh humor me banalitete, nëse e vutë re aty nuk ka asnjë banalitet dhe unë isha koshient për të mos lejuar asnjë banalitet. Megjithëse ajo të shpie, se ka erotizëm brenda, ka damarë ku mund të rrëshqasë shfaqja, po e kisha si synim kryesor që të jetë një shfaqje, që të paktën të rrezatojë kulturë, të mundohemi që të themi se komedia të bëhet kështu edhe një komedi serioze për mesazhet që transmeton.
Problemet e mbartura e moskomunikimi ndër vite mes bashkëshortëve, që luhen nga Andia Xhunga e Genci Fuga i evidenton predikuesja fetare interpretuar nga Luiza Xhuvani, që nuk i ngjan fare një baby sitter-i të zakonshëm. Finalja rrjedh natyrshëm nga moskuptimi dhe nxjerra e të vërtetave, shoqëruar me tingujt e kitarës së muzikantit Gjergji Kaçinari.
Njërëzimi do ti kthehet gjithmonë vetes, Zotit sepse është e thënë ti kthehet thelbit të tij për ta njohur, për ta përqafuar. Me po të njëjtën ëndje për të shpëtuar shpirtin njeriu do t’i kthehet dashurisë, si mënyrë për të jetuar me shpirtin plotë.
Shfaqja do të vijojë të ngjitet në skenën e Arturbinës.



