Shkove në pranverë
kur kumbullat lulojnë mbi kodër
e shelgjet gjethen në lumë.
Mani n’oborr asht pjekë si tjetra herë
e prroni nën shpi asht tha,
xhingalla mbi plep ka britë e ka britë
e ti s’e ke ndie, as pa.
Vjeshta kur erdh
e strehët e pullazit lëshuen
ujin n’oborr, në kusi,
unë ndenja të dera tue mendue për ty.
Kur era nga bjeshka ia behi
e prroni nën shpi u ngri
dorën që në zjarrm isha tue nxe
e prapova tue mendue për ty
të ngrime nën dhe.
Analizë teksti
Nga tri vargjet e para kuptojmë që një njeri ka ikur, është larguar. Nuk na thuhet nëse është femër apo mashkull, nuk na thuhet lidhja që ka me unin lirik, nuk n thuhet ku ka ikur, si ka ikur, ç’lloj ikjeje është. Na thuhet vetëm vetëm se ka ikur në pranverë.
Në vargjet:
Mani n’oborr asht pjekë si tjera herë
e prroni nën shpia asht tha,
xhingalla mbi plep ka britë e britë
e ti s’ke ndie as pa.
Këtu shohim një ndryshim në natyrë. Pjekja e manit, tharja e përroit janë shenja të stinës së verë, pra të një stine tjetër nga vargjet e para. Koha ka filluar të ecë. “Asht pjekë si tjera herë” sugjeron për një cikël të vazhdueshëm të ndërrimeve në natyrë. Vihet re pranëvënia e vargjeve: “e prroni nën shpi është tha” dhe xhinkalla mbi plep ka britë e britë”. Pse prroni është nën shpi dhe gjinkalla mbi plep? Kemi parafjalët nën dhe mbi… Këtu të lind dyshimi se mos këto fjalë kanë lidhje me llojin e mungeës, mos personi ka ikur nën dhe ka lënë dikë apo diçka mbi.
“Asht tha” shpesh diçka pa jetë, përroi pa jetë. Ndërsa gjinkalla që ka “britë e britë” të jep idenë e një qenie të gjallë, poe përballë tyre qëndron përsëri personi që “s’ka ndie as pa”. Pse s’ka ndie as pa? Ku është? Të jep idenë e një largimi, por prapë ky mbetet një largim i papërcaktuar. Megjithatë, edhe pse ende i paqartë ky largim, fillon një dyshim te lexuesi, por dyshim i turbullt, sepse një person që as ndjen as sheh mund të mos jetë fare, por mund të jetë edhe larg. Pra nuk sheh as ndjen për shkak se s’është aty. Por nuk përcaktohet ku është…
Vjeshta kur erdh
e strehët e pullazit lëshuen
ujin n’oboor në kusi,
unë ndjenja te dera tue mendue për ty.
Përsëri kemi ndryshim stine, që e fut poetin në mendime. Vihet re se si kalon koha, nga një stinë në tjetrën, se si dy strofat e para, përkatësisht dy stinët e para , të cilat nuk shfaqin drejtpërdrejtë praninë e unit lirik, kalohet në strofën tjetër, ku shfaqet drejtpërdrejtë uni lirik “unë ndeja te dera tue mendue për ty.”
Vargu:
“e strehët e pullazit lëshuen
ujin n’oborr n’kusi”
shpreh një rrjedhje, rrjedhja e ujit shkon paralelisht me rrjedhjen e kohës. Pasi kanë kaluar dy stinët e para, mendimet e unit lirik bëhen më të thella në vjeshtë. Këtu fillon meditimi, refleksioni: “unë ndeja te dera tue mendue për ty”.
Pse uni lirik rri pikërisht te dera duke menduar për personin që s’ka më? Deri këtu mund të mendojmë që ikja e këtij personi të dashur për të mund të jetë jopërfundimtare, mund të ketë një ktim pas. Dera mund të shpreh pritjen, por edhe meditimin.
Kur era nga bjeshka ia behi
e prroni nën shpi u tha,
dorën që në zjarr isha tue nxe
e prapova tue mendue ty
të ngrime nën dhe.
Këtu kemi përsëri thajen e përroit, ndryshe nga strofa e dytë, kur tharja ndodh në verë, tani tharja ndodh në dimër. E kuptojmë ndryshimin e stinës nga vargu i parë “Kur era nga bjeshka ia behi” dhe nga vargu i tretë” dorën që në zjarr isha tue nxe”. Përsëri prroni është nën shpi, thahet nën shpi. Kjo parafjalë, nën, bën lidhjen me vargun e fundit të poezisë “të ngrime nën dhe”.
Rimarrja e të njëjtit varg “e prroni nën shpi u tha” e thekson më tepër dhimbjen e poetit. Dhimbja e poetit nuk jepet as nëpërmjet vajit, as nëpërmjet pasthirrmave, por pikërisht e fshehur pas vargjeve të tilla si ky dhe përsëritja e këtij vargu e përshkallëzon dhimbjen. Nëse në strofën e dytë, ku kemi stinën e verës, përroi që thahet tregon thatësirën, pra edhe thatësirë në shpirt nga ikja e njeriut të dashur, por që mbetet vetëm në idenë e mungesës, pa e përcaktuar më tej deri ku shkon kjo mungesë, në strofën e fundit përroi që thahet tregon ngrirjen e shpirtit kur mendo tmerrin e vdekjes. Ashtu siç prapon, djeg dorën poeti në zjarr teksa ngrohet, ashtu për një çast e djeg edhe mendimi që i vjen papritur, rrufeshëm për njeriun e dashur, të ngrirë nën dhe. Pra, vargu i fundit “të ngrime nën dhe” na e bën të qartë ç’lloj ikjeje është kjo, një ikje pa kthim.
Për herë të parë në këtë varg, në vargun e fundit, del edhe gjinia e personit që s’është më, pra femër. E kuptojmë nga mbiemri “të ngrime nën dhe”.



