Poiesis

Mendimi i parë që më erdhi ndër mend,
Kur të pashë përndritje shkëndijash në sy qe ky: S’i shpëton dot orakullit!
Ishte e shkruar që ti të vije,
me flokët harlisur me pak të bardhë.
Një mendje në dukje djallëzore,
që veç djallin s’përqaf.
Në ditë si ato që s’jetuam,
po që historia shkruan
tamam si vrapi i lëndinave,
ku me zor të gjeta mes barit të njomë,
që shtrihej tutje deri në mezidukje.
E ne luajtëm kukafshehthi deri në muzgun e parë të pranverës së vonë.
Dehur me aromën e freskët të lulepjeshkëve.
Dallove mes degësh qumështorin që
t’u hodh në krye.
Sa e sa herë të kishte ndaluar për mua e ti më thoje: Ç’ka fëmija që shfaqet si me magji?
Unë t’u luta ta dëgjoje.
Diç të pëshpëriti në vesh.
Ti brofe si në ëndërr mes pemëve,
u ktheve me një krah petalesh,
më preke dorën sikur sapo të kishe shkuar në Mars.
U solle rreth e qark një grimë.
Ajo buzëmbrëmje ra siç agon te ty mëngjesi
pak dritë e vagullt dhe pak muzikë.
Sytë rënduar nga tingujt në heshtje,
shquan të kuqin e buzës sime dhe prapsesh si luftëtari i humbur.
Ti s’njohe tjetër pos vegimit të mezidukshëm.
As luleshumët që mbinë rrëzë qafe.
E di që s’qe e thënë,
shirat s’derdhën mbi ne ujë hëne,
e tashmja ngeli në rrokullima
një bardhezi pa formë,
që veç ti ia qëmtoje ngjyrat,
si vrap i lëndinës që shkrumbon vjeshta.
E ti brofe për të disatën herë i trembur.
“Fjalët e gëzojnë jetën”, – the.
Ditët që s’i jetove kurrë…