Je ti, përjetësi ëndrrash…

Do të kisha dashur të rrëmoja thellë ndër fjalë, për të gjetur ato të duhurat e për të të thënë, se brenda meje është ngjizur një lumturi, që shungullon dehje. Është e njëjta ndjesi kur më hipnotizojnë sytë e tu hënëmbushur,  me xixa parajse. Kaq duhet për ta përhumbur veten në botë, ku s’ka njeri tjetër veç teje. Një kllapsitje sysh, që më mban pezull në ajrin mbushur plot e përplot me aromën tënde. Nuk arrij të të shoh. Në mua një ‘unë’ tjetër po zgjohet.  S’ngopet me aromën që ngacmon flegrat e hundëve. Uni zotërues, ndjell pak nga ty, aq sa për të shijuar nëpër ikje. Ti, heq efektin ngulmues, të shikimit, për të më zbritur nga qiejt dëshirues.
Je ti, po aq i qeshur sa dikur,  kur vetëdija më bënte të shihja bardhësinë e zemrës, që i mungonte viteve. Më shkund me vetëtima shikimesh, qenia më e përkryer që “uni” mund të njihte. Je po prap ti, përjetësi ëndrrash…