VKM-ja për asgjësimin e Akademisë së Studimeve Albanologjike, senati: Veprim politik, e kundërshtojmë

Akademia e Studimeve Albanologjike u krijua në kuadër të ristrukturimit e të modernizimit të sistemit universitar dhe akademik shqiptar, me vendim të Këshillit të Ministrave, nga bashkimi i katër Instituteve (Arkeologji, Gjuhësi dhe Letërsi, Histori, Kulturë Popullore) dhe i dy njësive kërkimore (Studimi i Artit, Enciklopedia Shqiptare) të ish- Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Kur Skënder Gjinushi, kryetar i Akademisë së Shkencave e propozoi mbylljen e Akademisë Albanologjike, rektori i akademisë dhe drejtuesit e instituteve kundërshtuan dhe vijuan takimet me Ministrinë e Arsimit dhe presidencën duke argumentuar pse kjo nuk duhej lejuar. Në anën tjetër, kreu i akademisë së Shkencave, Gjinushi, refuzoi ta quante mbyllje, por parapëlqeu fjalën shkrirje. Me daljen e draft VKM-së, nuk ka më gjë të paqartë- shkrirja është asgjësim. Me mbylljen e instituteve me përvojë 70-vjeçare, VKM-ja sjell si efekt zinxhir pushimin nga puna të 100 studiuesve me grada shkencore, doktor shkencash, profesor i asociuar dhe profesor doktor, aktualisht të punësuar në institutet e Gjuhës, Letërsisë, Historisë, Arkeologjisë, Antropologjisë dhe departamenteve të tyre. Fill pas miratimit të projektvendimit,rektori i ASA-s Luan Përzhita sqaron konfliktin me Ministrinë e Arsimit.

Kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi pranoi publikisht se është ideatori i projektvendimit për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike. Në konferencën e mbajtur në institucionin që drejton, Gjinushi e banalizoi situatën ngase deklaroi se i bëri nder Akademisë së Studimeve Albanologjike, pasi kërkuesit shkencorë e institutet kishin mbetur në rrugë.

Drejtori i Institutit të Antropologjisë dhe studimit të artit, shprehu keqardhje për projektvendimin, që shpie në shkrirjen e menjëhershme të ASA, dhe kalimin e gjithë kontributit të tyre në Akademinë e Shkencave. Nebi Bardhoshi tha se nuk ishin njoftuar më herët për atë që do të ndodhte me institucionin, ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre e se vendimarrja e qeverisë për mbylljen e ASA-s nuk ka asnjë bazë ligjore.

Rektor i ASA-s përmend 40 marrëveshjet ndërkombëtare të Akademisë Albanologjike, shkatërrimin e instituteve që kthehen në njësi dhe lirinë akademike, që pas miratimit të VKM-së nuk do të mund të quhet më e tillë.

Sipas Gjinushit, Akademia e Shkencave i rekomandoi qeverisë masat që duhet të marrë për fuqizimin e kërkimit shkencorë, ndërsa me humor pohoi se Qeveria Rama ka qenë skeptike më shumë se sa televizionet opozitare për punën e Akademisë së Shkencave.

Një prej arsyeve kryesore të këtij vendimi sipas Bardhoshit është pamjaftueshmëria e burimeve njerëzore për vijueshmërinë e tri projekteve enciklopedisë, fjalorit, dhe historisë nga ana e Akademisë së Shkencave, megjithëse inicuese e tyre ka qenë ASA.

E shkrirja nënkupton asgjësimin. ASH nuk ka një sistem rekrutimi për punonjësit e ASA, pasi ASA ka tituj karriere si DR, Prof Asoc, dhe Prof Dr, ndërsa ASH, duke qenë honorifike me Ligj, ka vetëm titujt Akademik i asociuar, Akademik dhe Akademik Emeritus.

Titullari i Akademisë së Shkencave pranoi se mungesa e burimeve njerëzore për tri projektet madhore, të iniciuara nga ASA është një arsyet që Akademia e Shkencave kërkoi shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Ndryshe nga sa shpallet, që do integrohen Institutet e pacënuara, VKM nuk flet fare për Institute, por për Njësi Kërkimore-Shkencore, të cilat janë baraz me një Departament të vetëm. E po ashtu neni 19 i Ligjit të ASH, të cilit i referohet VKM, i ndalon Akademisë të ruajë Institutet, sepse edhe ai flet për njësi kërkimore (me deri në 5 veta), dhe ç’është më e rëndësishmja këto njësi janë të përkohshme (afatmesme ose afatgjata), pra maksimumi 2 vjeçare, e më pas do të shkrihen.

Ndërkohë që Bardh Rugovva, përfaqësues i Akademisë së Kosovës është shprehur se institucioni, në të cilin ushtron veprimtainë e tij, ka refuzuar punën me fjalorin, pasi e ka cilësuar si nivel të ulët shkencor bashkëpunimin me Akademinë e Shqipërisë, Skënder Gjinushi e mohoj.

Nga puna kërkimore e Institutit që drejton, Nebi Bardhoshi veçon kolanën antropologjike, monografitë e profesorëve nga fusha të ndryshme të hulumtimit, si dhe atlasin etnografik.

Përzhita u shpreh se vendimi është politik dhe se ndjen keqardhje, që politizojnë një institucion të tillë, që ka qëndruar larg politikës. Titullari i ASA-s tha se do të ndjekin rrugën ligjore për të vijuar betejën e tyre, e se ndihet I keqardhje për qasjen e politikës ndaj albanologjisë.

Sipas senatit të Akademisë së Studimve Albanologjike, ky është një akt i paprecedentë që qeveria dhe kryemistri Edi Rama po ushtron duke kërcënuar pavarësinë e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *