Procesi i gërmimeve në Parqet arkeologjike është kthyer në një problem të qenësishëm për pasurinë e çmuar, që gjendet në site. Arkeologu Neritan Ceka thotë se në terren mungojnë grupet e specializuara të ekspertëve.
“Këtu nuk përmenden ilirët. Trashëgimia nga ilirët te shqiptarët, këtu nuk përmendet as Dardania e Epiri nuk dihet se çfarë është dhe kjo na çon në humbjen e identitetit dhe busullës së arkeologjisë. Më shumë po gërmojnë klandestinët i kanë bërë monumentet vrima-vrima.”
Sipas arkeologut këmbanat e alarmit duhet të bien për monumentet e rrezikuara, para se dëmet të jenë të pariparueshme, ndërsa Ministria e Kulturës duhet të shkojë përtej propagandës së prezantimit të tyre, në një kohë kur 90% e aseteve arkeologjike po rrënohet:
“Durrësi është i rrezikuar nga agresion i betonit, i hahet diçka ose ndërhyhet në mënyrë barbare. Vlora që është një qytet mesjetar, tek Sheshi i Flamurit bën punime të mëdha pa bërë gërmime arkeologjike, në mënyrë diletante. Nuk mund të bëhet me what’s dhe Facebook si bën Ministria e Kulturës, jep një monument nga lloji e mendon se i impresionon shqiptarët. Shqiptarët i kanë monumentet te dera e shtëpisë, dhe e shikojnë se 90 % e tyre është në rrënim të plotë.
Ndryshe nga Butrinti, i cili është në menaxhim nga privati për Parkun e Bylisit do të ketë administrim shtetëror. “Modeli do jetë me fondacion po me fondacion publik jo privat si Butrinti. Kjo u jep mundësinë shqiptarëve të tregojnë aftësinë e tyre, jo vetëm të huajt mund të sjellin këtu modele, modelet janë. Nga ana tjetër do të jepet modeli i një parku, i cili është një koncern. Në fillim do të jetë Bylisi-Apolloni e ky park më vonë mund të absorbojë dhe parqe të tjera në territor, si Amantian dhe Orikumin për të pasur një grupim parqesh, ku me një biletë mund t’i vizitosh të gjitha. Nxisin edhe vizitat po krijojnë idenë edhe e një qytetërimi kompleks”, u shpreh Ceka.
Neritan Ceka thekson domosdoshmërinë e ruajtjes së monumenteve e siteve arkeologjike, si vlerë e rëndësishme e trashëgimisë kombëtare.




