Ecejaket e një zonjushe të hijshme rrugëve të Parisit, veshur me fustan të gjatë, me tipare në ngjyrë të zezë, e buzët flakë të kuqe në kërkim të një jetë më të mirë e të dashurisë së vërtetë, kurse nga ana tjetër një djalosh me gungë në shpinë, me një të shkuar të hidhur, me misionin e qartë t’i sjellë ngjyra botës që pavetëdijshëm nuk arrin të dallojë terrin e zi, i cili bie dhe ditëve në qytetin e dashurisë. Mbi këtë paralel mes të kundërtash erdhi historia e Esmeraldës së bukur dhe Kuazimodos, në shfaqjen muzikore “Notre Dame De Paris”, me pjesëmarrjen e 65 artistëve nga mbarë bota me tingujt e Riccardo Cocciante dhe tekstin mbështetur në veprën e Victor Hygo nga Luc Plamondon.
Një pjesë e gjallë e Parisit, nisur me kambanat që herë janë simbol i një lajmi të hidhur e herë njoftojnë për një ndodhi të re u zhvendos në skenën e improvizuar në stadiumin Air Albania. Në çdo kohë, qoftë kur pritej apo nuk mendohej ardhja e tij shfaqej Klod Frolo, prifti që nuk u reziston asfare tundimeve të tij e do me çdo kusht do të bëjë për vete ciganen Esmeraldë. Përtej gjithë natës që mbulon të gjitha strehët, del herë me vezullime e herë me makthin prej sulmeve të deriatëhershme në qytet Febysi, shpëtimtari i tokës, i qiejve dhe i Esmeraldës, me dashurinë e pashtershme e nga ana tjetër duket e zhduket një poet i quajtur Greguar, për të cilin jeta merr një udhë të re përmes ëndërrimesh e vargjesh, e se besimin hyjnizon shpirtrat njerëzorë.
Shfaqja muzikore rrodhi natyrshëm për 150 minuta, në të cilin u interpretuan disa nga këngët e njohura: “Vivre”, “Belle” dhe “Le temps des cathédrales”, ndërsa publiku i shoqëroi me duartrokitje.
Shfaqja muzikore parë në një aspekt më të gjerë përveç zgjimit të vetëdijes njerëzore për atë që kemi pasur, që kemi e do të kemi në të ardhmen ngacmon thellë brenda njerëzve për të kujtuar përmes zërash e tingujsh, se e shkuara na përket e do na përkas deri në frymën e fundit, se historia e përsërit veten nëse nuk e njohim e se në çdo kohë turmat dalin në krye pavarësisht se nuk kanë të drejtë.
E ashtu si në vitin 2019, ku flakët pushtuan katedralen, në të cilën u përpëlitën dashuritë dhe hakmarrjet e vjetra sa njerëzimi, si ato të Esmeraldës, Kuazimodos, Froloit, Shqipëria ripërjetoi kënaqësinë e saj më të madhe, më e thellë se gjithçka është shija estetike, ajo që shpëton asgjësimin shpirtëror.



