Ngjitet te ‘Kombëtari’ drama e ndaluar në komunizëm “Orfeu zbret në ferr”, aktorët: I flet Shqipërisë

“Orfeu zbret në ferr”, drama mbi dashurinë në vitet 1950, mbi luftën për pushtet dhe shitblerjet  e qenies njerëzore në një tokë të shkretuar, shkruar nga dramaturgu Tennessee Williams, nën konceptimin regjisorial të Nastazja Domaradzka ngre në skenën e Teatrit Kombëtar pyetjen: A mund të ekzistojë dashuria në një vend të pushtuar nga dhimbja dhe urrejtja?

“Kur filloj punën për një shfaqje më duhet të besoj dhe të identifikohem më së pari prej jetës që kam lexuar, prej jetës që jetoj, prej jetës që më shqetëson. Natyrisht, Lejdi është një nga rolet e dramaturgjisë sfidues që është krenari ta kesh në repertorin tënd. Ka qenë një zbulim i përditshëm dhe më lejoni t’ju them se edhe sot kishte zbulesa të tjera për gjithçka që ofrohet, grupi ofron, ngjarjet ofrojnë, pjekuria e punës ofron. Jam e sigurt që mbas shumë shfaqjesh do të ketë dhe zbulesa të tjera. Kjo është e bukura e teatrit e uroj që këto zbulesa të kenë shkuar edhe te publiku, uroj!

Dashurinë më së pari nuk ta jep familja, dashurinë njeriu e zbulon te vetja. Ajo që më pëlqen dhe që identifikohet, jo vetëm realiteti shqiptar, por në përgjithësi nëse do t’i referohesha marrëdhënies pushtet dhe seksi i dytë, është fakti që zgjedhja e kësaj gruaje, si shumë gra la veten të shitej e të blihej nga një martesë e pushtetshme dhe me para. Natyrisht zgjedhje të tilla janë zgjedhje fatkeqe, ku natyrisht as fëmija, as e ardhmja, familja etj nuk mund të gjenerojnë, por përfundojnë në mënyrë tragjike. Janë zgjedhje ku i shërbehet pushtetit dhe gruaja historikisht, fatkeqësisht ka qenë viktima e lojës së pushtetit financiar, politik. Ka qenë viktimë deri në tragjizëm dhe nëse është gruaja viktimë, është e ardhmja në rrezik. Besoj këtë përfaqëson Lejdi nëse do të flasim në përgjithësi për atë raportin e madh, ku do të identifikohej shoqëria jonë, po dhe historia e zhvillimit dhe emancipimit të shoqërisë duke filluar nga të lejuarit e hapësirës që gruaja të zhvillohet dhe të tregoj veten, besoj se shoqëria emancipohet, ndërsa gruaja nuk ka nevojë të emancipohet se është e tillë. Kjo shumë më tërheq në këtë shfaqje. Lufta e pushtetit, shitblerja, humbja e dashurisë, humbet vlera e dashurisë, ku pushteti dhe paraja zvetënojnë gjithë këto vlera, gjithë këto esenca që na ndajnë nga gjallesat e tjera.

Ju jetoni në kohë të arta, po që të vini deri këtu janë vrarë shumë Lejdi, shumë fëmijë të Lejdit. Është vërtetë shumë aktuale fatkeqësisht. Ju jeni në kohën e ndërgjegjësimit kjo është një nga rrugëtimet e ashpra që ka kaluar gruaja për të gjetur hapësirën e merituar në shoqëri, në fakt kështu. Ju jeni brez më me fat, se kanë vuajtur të tjerë, kështu që ju duhet të rezistoni”, u shpreh aktorja Ema Andrea.

Në kohën kur në një shoqëri korruptohet dashuria, lehtas mund të blihet njeriu, morali dhe familja. Nën petkun e Xhejbit, Neritan Liçaj thotë se figura e tij përfaqëson pushtetin e pangopur që shkatërron gjithçka.

“Është dramaturgjia që është jashtëzakonisht e mirë. Është një nga autorët më të mëdhenj, jo vetëm të Amerikës, por të historisë së dramaturgjisë botërore. Ai merr një simbolikë që është legjenda e Orfeut ose mitin, dhe e sjell në tokë, në një marrëdhënie konkrete në një shoqëri konkrete të kalbur tashmë. Në momenti kur në një shoqëri korruptohet dashuria, korruptohet njeriu, korruptohet morali, korruptohet familja korruptohet gjithçka. Xhejbi është ai që ka korruptuar gjithçka. Është ai që ka krijuar këtë ferr ose këtë Had dhe e menaxhon si do.  Ai vret gjithçka rrotull tij, ideja e kripës ajo është. Shkatërron gjithçka, dashurinë, vret njerëzit, pjesën tjetër e kthen në skllevër dhe në njerëz që i mban me bukën e gojës dhe i menaxhon si të ketë dëshirë, gruan e tij etj. Procesi ka qenë shumë i bukur, ka qenë një proces goxha intensiv dhe është koordinuar goxha mirë fizikaliteti, me konkretizimin e dramaturgjisë nëpërmjet marrëdhënieve së aktorëve e personazheve.

Nuk ka shumë pjesë, por gjithë kohën është Xhejbi. Flitet për të edhe kur nuk është ai, është ai që ka krijuar gjithçka. Nuk ka shtrirje në vepër siç janë Orfenjtë, por ama është ai që ka krijuar çdo gjë. Është pak a shumë si Tartufi që del në aktin e tretë, por që flitet gjithë kohën për të. Është personazh shumë kompleks. Ka qenë një proces elaborimi shumë të bukur, për të dalë te ky, që vjen helmon gjithçka dhe ikën, pasi çdo gjë është shkretuar.”

Regjisores i është dashur të bëj një studim gati antropologjik, për Shqipërinë, për mënyrën e të jetuarit e shqetësimet e njerëzve e për t’i shpirtëzuar të gjitha dinamikat në role.

“Është një vepër që na ka surpizuar mënyra se si Nastazja vendosi ta tjetërsojë. Mendonim të gjithë se shfaqja do të kishte një qasje disi më natyraliste. Duke qenë se regjisorja erdhi dhe me thënë të vëretën na supozoi të gjithë duke na thënë se autori nuk i ka shkruar veprat e tij për natyralizmin, për të cilinështë keqkuptuar, “Orfeu zbret në ferr” dhe disa të tjera të pas një etape të caktuar,  nuk janë vlerësuar ashtu siç duhet të ishin vlerësuar në kohë, ndoshta në kohën kur teatri ishte ndryshe, kështu që regjisrja erdhi te ne me një letër dhe na bëri që të dalim nga natyra. Ka qenë një punë e gjatë stërvitore.

Kemi bërë një lloj laboratori të gjatë në të cilin diskutohej çfarë janë shqetësimet, si funksionon dashuria në Shqipëri, si nuk funksionon, të kujt jemi viktimë, të kujt jemi falënderues e të gjithë këto gjëra e kanë ndihmuar regjisoren”, tha aktori Genti Deçka.

Vepra që është ngacmuar nga legjenda e Orfeut mes errësirës dhe pigmenteve të vogla të dritës do të vijojë të ngjitet në Teatrin Kombëtar. 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *