Një koncert me dy këngë qytetare të Tonin Harapit, Poema nën tingujt e violinës në homazh të Tefta Tashko Koços, e së fundmi “Divertimento” e Mozart, kështu e nisi 80-vjetorin e tij Maestro Eno Koço në dirigjim të një feste të hareshme tingëllore. I emocionuar, muzikologu rrëfen se fillimet kanë qenë sfiduese e plot vështirësi, e megjithatë hija e së ëmës ka ndriçuar rrugën e birit.
“Duhet të luftoja në jetë. Hija e tyre veçanërisht e nënës është si një engjëll mbrojtës, më ka shoqëruar gjithë jetën. Edhe sot e kësaj dite gjithnjë më thonë: Oh, ti je djali i Teftës.”
Me një veprimtari të shtrirë nëpër kohë nisur me violinën, për të vijuar me dirigjim e për të mbërritur te shkrimi, hera-hera e bënte të njihej edhe si i panatyrshmi, ngase ajo që e shoqëroi ngado qe muzika klasike.
“Nuk isha ndonjë violinist që të shkëlqeja, megjithatë punova në Opera gjashtë vjet. Unë isha i panatyrshmi në atë kohë sepse mua më tërhiqte klasikja. Në Angli kam qenë dirigjent i një orkestre shumë të madhe atje. Ky profesion i muzikës klasike më ka ndihmuar për t’më hapur shtigje në jetë.”
I biri i dy muzikantëve të njohur Kristo Koço dhe Tefta Tashko Koço, dirigjenti Eno Koço i vlerësuar si Artist i Merituar e Nder i Kombit ka sjell një frymë të re në muzikën klasike shqiptare.
