Vargu homerik “Detit ngjyrë vere” u bë shkëndija ngacmuese e piktorit Orion Shima, në ciklin e fundit piktorit. Në 29 krijime të ekspozuara në Galerinë e Arteve të Bukura, Shima fton dashamirësit e artit në njohjen e frymës shumëngjyrëshe të antikitetit, në festat plot hare të Perëndive, e në fundet e pashmangshme, ku dikush mbetet fajtor.
“Gjithë ekspozita është perceptuar si një hare, një party dionisiak, një rendje drejt harresës, drejt dashurisë, drejt shfrenimit , por në momente të caktuara ajo merr dhe një trajtë pak më të hakmarrëse”, thotë Shima.
Harmonia e ngjyrave, elementët herë të dukshëm e herë të padukshëm thellojnë narrativën e piktorit për atëkohë, sfidë e cila ka mbërritur tek ai krejt natyrshëm:
“Në fillim, ka qenë një lloj sfide se si kjo temë mund të rikthehet, mund të trajtohet dhe mund të ketë akoma surpriza. Nuka ka qenë e lehtë, por ka qenë një udhëtim shumë i bukur fabulash, përzgjedhjesh, sigurisht edhe sfidash teknike për ta përcjell”, tregon artisti.
Në këtë ekspozitë siç shprehet piktori, ka ndier nevojën për të lëshuar frerët e shpirtit dionisiak e kohën parë si cikël të vazhdueshëm. “Detit ngjyrë vere” do të vijojë të qëndrojë e hapur në galerinë FAB.



