“Ekrani i artit” dhe magjia e produksioneve filmik, Hastad: Festivali mënyra më e mirë që të njohim njëri-tjetrin

Dita e dytë e festivalit ‘Ekrani i Artit’ nisi në ‘Kinema Millenium’ me dokumentarin ‘Talking About Trees’ , një dokumentar i zgjuar dhe tërheqës për Ibrahim Shaddad, Suliman Ibrahim. Në pamundësi për të bërë filma për vite, qëkur një grusht shteti ushtarak në 1989 pat shkaktuar kolapsin e industrisë së filmit të Sudanit për arsye fetare dhe ekonomike, ata vendosën të ringjallin një kinema të vjetër, të bashkuar jo vetëm nga dashuria e tyre për kinemanë dhe dëshira e tyre pasionante për të restauruar filmat e vjetër dhe për të tërhequr sërisht vëmendjen te historia e filmit sudanez, por edhe nga fakti që të gjithë kanë pasur një edukim filmik jashtë Sudanit. Suhaib Gasmelbari, që debuton si regjisor me këtë film, ka një qasje medituese, vëzhguese dhe të butë. Ai zgjedh të mos intervistojë drejtpërdrejt katër kineastët; në vend të kësaj, ajo që shpaloset është një portret poetik mjaft i bukur i miqësisë burrërore, obsesionit kinefilik dhe dinjitetit elegant. Gasmelbari na jep gjithashtu disa fragmente magjepsëse të filmave që këta regjisorë kanë bërë në rininë e tyre, duke e bërë të qartë humbjen e kinemasë, për faktin që nuk janë parë më shumë punime nga këta njerëz të shquar.
 
Në këtë edicion te 6-te te festivalit të filmit, fokusin kryesor e kane prurjet nga Suedia. Ne kuadër të këtij bashkepunimi kulturor mes dy vendeve, prezent në ‘Art House’ në ditë e dytë  të festivalit ishte edhe ambasadorja e Suedisë në Shqipëri, Elsa Hastad. Ajo foli për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe shprehu entuziazmin e saj për këtë projekt të veçantë bashkëpunimi kulturor, ku theksoi se qeveria suedeze ka vetëm dy të tillë në botë dhe njëra prej tyre është me Shqipërinë në Shkodër përmes Art House dhe festivalit “Ekrani i Artit’.
 
“Është e mrekullueshme të jem në Shkodër përsëri, pasi unë e dashuroj këtë qytet dhe vij shumë shpesh. Të jesh në Art Hause në këtë shtëpi të rëndësishme arti, pranë artistit Adrian Paci, pasi unë jam një fanse e madhe e tij dhe artit të tij. Ne kemi krijuar një bashkëpunim përmes artit dhe kulturës.
Kjo është një përpjekje nga të dy palët përmes individësh dhe artistësh shqiptare dhe suedeze si Edi Muka për shembull që është një artist që jeton në Suedi dhe gjithashtu është edhe një dëshirë dhe përpjekje e qeverisë suedeze për të promovuar të zhvillojmë shkëmbime mes dy vendeve tona edhe përmes kulturës.

Unë personalisht mendoj se kjo është mënyra më e mirë që ne mund të njohim njëri-tjetrin. Ky lloj bashkëpunimi është krejtësisht unik, pasi qeveria suedeze e zhvillon me vetëm dy shtete në botë dhe Shqipëria është një nga këto dy vende. Ky është vetëm fillimi dhe unë besoj se do të vazhdojë, por mund të them se ky event, kjo formë bashkëpunimi është e jashtëzakonshme”.

Ndërkohë në këtë ditë të dytë të festivalit, në ‘Art House’, si një nga vendndodhjet, ku shfaqen disa nga filmat e këtij festivali, publiku ndoqi veprën e artistes Alberta Whittle, ‘RESET’. Dashuria si një forcë për rezistencë në kohërat më të vështira është një fili i përbashkët i kolazhit kinematografik të artistes të krijuar përmes muzikës, kërcimit, poezisë dhe tekstit.
Puna u filmua në kulmin e pandemisë Covid-19 në Skoci, Afrikën e Jugut dhe Barbados duke iu përgjigjur kontekstit të lëvizjes Black Lives Matter, pandemisë globale dhe emergjencës klimatike. I referohet shkrimeve të teoricienes queer, Eve Kosofsky Sedgwick duke ndërthurur imazhet gotike me frikën e kontaminimit, ksenofobinë dhe panikun moral që gjenerojnë këto ankthe. Përmes eksplorimit të pyetjeve të hershme të lidhura me shërimin personal dhe kultivimin e shpresës në ambiente jo miqësore, ky film politik na tregon për momente pikëllimi dhe reflektimi, por edhe për manifestime empatie dhe dëshire.
 
 
Gjithashtu në ‘Art House’ u shfaq edhe filmi me metrazh të shkurtër i artistit Diego Marcon, The Parents’ Room’ (Dhoma e Prindërve). Është pjesë e kërkimit të vazhdueshëm të Marcon-it mbi pasqyrimet e realitetit përmes çmontimit të gjuhës kinematografike. I xhiruar në film 35 mm dhe i ndjekur nga një partiturë origjinale muzikore e kompozuar nga Federico Chiari dhe e regjistruar në Trinity School of Music të Londrës, filmi është një përzierje strukturaliste që ngjall  epokën e artë të kinemasë muzikore dhe përmbys zhanre të kodifikuara si horror, komedi, musical dhe filma vizatimorë. Rrjedha e ngjarjes ndjek rrëfimin operistik të një burri, i ulur buzë një shtrati të parregulluar, i cili këndon për vrasjet e gruas dhe dy fëmijëve të tij të vegjël dhe për vetëvrasjen e tij. Skena është e qetë; bora hyn përmes dritares së hapur dhe kënga e një zogu të zi ofron melodinë për këngën e babait. Ballafaqimi i mjedisit të shtëpisë me format e çrregullta të personazheve dhe rrëfimi i shpalosur i fatit të tyre të shtrembër, shkakton ndjenja konfuzioni dhe kundërshtie.
 
Edicioni i 6-të i festivalit të filmit do te vijojë deri me 4 qershor ku publiku mund te ndjekë filma nga artistë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj të cilët shfaqen në ‘Kinema Millenium’, Art House, Galeria e Arteve Shkodër dhe Bedstation, ku do të shfaqen video të krijuara në bashkëpunim mes artistëve të artit pamor dhe këngëtarëve të njohur të zhanreve të ndryshme të muzikës, një program i posaçëm i selektuar me përkujdesje nga drejtori artistik i këtij edicioni, Edi Muka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *