MIK Festival, festivali i traditës, muzikës së mirë shqiptare dhe ndërkombëtare, rikthehet në këtë edicion të gjashtë me një buqetë unike tingujsh por dhe një udhëtim të veçantë në periudha të ndryshme historike muzikore. Organizimi çelet më dt 28 korrik, me një rrëfim për muzën e parë shqiptare Jorgjie Truja, treguar mjeshtërisht nga sopranoja Inva Mula:
“Duke lexuar ditarin e zonjës Truja, duke e njohur kontributin e saj, duke lexuar librat që janë shkruar për të u frymëzova dhe thashë, unë dua ta tregoj vetë këtë histori. Për të parë se si ka mundësi kjo zonjushë nga Korçka është ballafaquar me artin e madh, ka mësuar në konservatorin e Romës, është kthyer. Ka qenë një punë shumë e madhe, ajo ka guxuar gjithë kohën”, u shpreh Mula.
Festivalit nuk do t’i mungojë as aroma greke kushtuar 98-vjetorit të lindjes së kompozitorit të madh grek Mikis Theodorakis, ku do interpretojë këngëtarja dhe deputetja e Kuvendit Grek Kalliopi Vetta, një nga bashkëpunëtoret e fundit të kompozitorit. Serenatat, po ashtu do të jenë pjesë e rëndësishme e festivalit.
“ Përveç muzikës së Mikis Theodorakis, që është një muzikë e vërtetë e një kompozitori kontemporan do të vijë ajo pjesa e serenatave, ndoshta melodi të njohura këndohen greqisht dhe i këndojnë në shqip”.
Koncertet do të kulmojnë në Mbroje të Korçës, ku takohen shpirti, muzika dhe gastronomia në kishën e Ristozit, ndërsa në Drenovë festivali merr ngjyresë shqiptaro-rumune.
“Ka dy koncerte në teatër siç është dhe koncerti për zonjën Truja , është dhe flamengo, që vjen nga Spanja. Kisha shumë dëshirë që hapat, takat, ritmet t’i dëgjoj në teatër pastaj futemi në një skenë, të cilën nuk e kemi provuar kurrë, e kam fjalën për Drenovën”, tha sopranoja.
Kryefjala e MIK Festival mbetet sërish e njëjta:
“Më pëlqen kur vjen gjyshi, nëna, prindi e fëmija. Secili e gjenë veten në festivalin tonë dhe ky është qëllimi edukimi i brezave”.



