Ekspozita me plastelinë e disqe gramafoni, Joni Margjeka sjell teknikën e re të pikturimit

Plastelina mbi disk gramafoni është teknika e re, mjaft e veçantë që zëvendëson materialet tradicionale të pikturimit, me të cilat Joni Margjeka është ngacmuar për të krijuar 25 portrete, të zërave historikë muzikorë, nisur nga gjendjet shpirtërore të vet artistit ndër vite.

“Kam përzgjedhur personazhe, artistë, muzikantë të cilë në periudha të caktuara të jetës kanë pasur një ndikim të caktuar qoftë emocional, qoftë kulturor apo mental. Ekspozita në vetvete ëshë një instalacion i gjallë”, u shpreh Margjeka.

Për Jonin puna me plastelinën ka qenë sfiduese, ndërsa pllakat e gramafonit që zëvendësojnë telajon, shkrihen mrekullisht bukur me format e subjekteve. Kombinim mes këtyre materialeve të pikturimit është i pazakontë në artin pamor shqiptar.

“Të dyja janë materiale kapriçoz në reagim, sidomos plastelina, pasi herë është e butë e herë është e fortë. Ndërsa disku i gramafonit është një telajo komplet alternative, ndryshe nga telajot e tjera tradicionale. Unë nuk pikturoj me plastelinë vetëm në diskt gramafoni. Kjo është risia e fundit”, tha artisti.

Hapësirat e munguara për ekspozim të veprave të talenteve të rinj mbeten një thirrje për institucionet shtetërore:

“Një artist i ri, unë e kam ekspozitën time të parë, e ka thuajse të pamundur që të hapi një ekspozitë me forcat e tij. Artistët nuk i mbajnë të çelura ekspozitat e tyre për një periudhë kohore të gjatë, pasi kostot janë shumë të mëdha”.

Ekspozita do të vijojë të qëndrojë e çelur deri më dt 28 Korrik në ambientet e Europe House.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *