Dashuria është dorëzim. Dashuria është arsyeja e dashurisë. Dashuria është të kuptosh. Dashuria është muzikë. Dashuria dhe zemra fisnike, janë e njëjta gjë. Dashuria është poezia e trishtimit. Dashuria është të parit në pasqyrë e shpirtit të brishtë. Dashuria është kalimtare. Dashuria është të mos thuash kurrë jam penduar. Dashuria është kthjelltësim. Dashuria është të japësh. Dashuria është të ndash një çamçakëz. Dashurisë s’i dihet kurrë. Dashuria është fjalë boshe. Dashuria është të mbërrish te Zoti. Dashuria është dhimbje. Dashuria është të shihesh sy ndër sy me engjëllin. Dashuria është lot. Dashuria është të presësh të bjerë telefoni. Dashuria është një botë e gjithë. Dashuria është të kapesh dorë për dore në kinema. Dashuria është dehje. Dashuria është përbindësh. Dashuria është verbëri. Dashuria është të dëgjosh zërin e zemrës. Dashuria është një heshtje e shenjtë. Dashuria bëhet temë këngësh. Dashuria i bën mirë lëkurës. Pa u dorëzuar i gjithi sa të besoj, por edhe pa rënë i gjithi në një cinizëm, që do të ma linte shpirtin pa shtëpi e atdhe, pra, si duke parë pamjet në televizor i vetëdijshëm se po më gënjejnë, pa u gënjyer, duke dashur të gënjehem, i përftova këto perla. Duke u nisur nga përvoja ime e kufizuar, por e dendur, dua të shtoj mendimet e mia mbi këtë çështje: Dashuria është malli për të përqafuar me afsh dikë, për të qenë në një vend me të. Është dëshira për ta lënë gjithë botën jashtë kur e përqafon atë, malli për të gjetur një strehë të sigurtë për shpirtin. Siç e shihni, nuk thashë asgjë të re. Megjithatë, dreqi e mori, diçka thashë! S’dua më t’ia di nëse është e re apo jo. Përkundër asaj që mendojnë disa budallenj kopjacë, qoftë edhe dy-tri fjalë, janë më mirë se heshtja. Ndërsa jeta, si një tren që dalngadalë bën përpara me gjithë mizorinë e tij, kalon e ikën, duke tretur trupin dhe shpirtin tonë, kujt i hyn në punë të heshtësh, të mos hapësh gojën për të thënë qoftë edhe një fjalë, për atë Zot? Pata njohur dikë, në një moshë me mua, që donte të thoshte se një heshtje e tillë është më mirë, se të luftosh me tërë atë dhunë e ligësi që na sulmon pareshtur dhe na dërrmon. Them, donte të thoshte, sepse as këtë nuk e thoshte, por gjithë ditën e lume ulej në tryezë e pa u ndier, në heshtje, shkruante në një fletore fjalët e të tjerëve. Ndonjëherë mendoja se s’kishte vdekur dhe vazhdonte të shkruante sërish, trembesha mos heshtja e tij rritej brenda meje dhe merrte formën e një tmerri rrëqethës.
ORHAN PAMUK



